Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiyes, Hakan Fidan, tha se vendi i tij të mërkurën do të aplikojë për t’iu bashkuar çështjes së gjenocidit kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

"Ne do të dorëzojmë dosjen tonë të përgatitur për t'iu bashkuar çështjes së gjenocidit kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë të mërkurën", tha Hakan Fidan në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij egjiptian në Kajro.

Fidan shtoi se ata që dënojnë luftën Rusi-Ukrainë po shtiren se "nuk shohin të keqen, nuk dëgjojnë të keqen, nuk flasin të keqen" përballë pushtimit të vazhdueshëm të tokave palestineze nga Izraeli.

Ai shtoi se javën e kaluar Izraeli vrau "negociatorin kryesor në bisedimet e armëpushimit në Gaza", shefin politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, "në një vrasje të pabesë".

Fidan gjithashtu u bëri thirrje "pronarëve të Izraelit" që t’ia "mbajnë zinxhirin", duke paralajmëruar se rajoni nuk mund të tolerojë më "provokimet" e Tel Avivit, duke iu referuar sulmeve të tij në Liban dhe Iran që kërcënojnë të përhapin luftën.

Ankaraja dhe Kajro kanë bërë çdo përpjekje për të parandaluar përhapjen e luftës në rajon, tha kryediplomati turk.

"Të punojmë për t'i dhënë fund luftës në Gaza"

Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, bëri thirrje për t'i dhënë fund ofensivës së vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës dhe për të lejuar "pa kushte" ndihmat humanitare në enklavën palestineze.

“Ne diskutuam krizën në Gaza, si dhe situatën në Libi, Sudan, Jemen dhe Detin e Kuq”, tha Abdelatty gjatë një konference të përbashkët për media, duke shtuar:

“Mesazhi ynë për botën është të punojmë për t'i dhënë fund luftës në Gaza dhe të sigohemi që ndihma të arrijë në enklavë pa kushte apo pengesa”.

Ministri Abdelatty tha se Egjipti mirëpret gatishmërinë e Türkiyes për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Damaskun "në një mënyrë që ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë".

Ai përsëriti mbështetjen e Egjiptit për “çdo përpjekje të sinqertë për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse të krizës siriane sipas kuadrit ndërkombëtar”.

Agjenda e kryediplomatit turk

Kryediplomati turk Hakan Fidan nga dje ndodhet në një vizitë dyditore në Egjipt, me ftesë të autoriteteve egjiptiane.

Më herët gjatë ditës, Fidan u takua me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi në El-Alamein në Egjiptin verior. Fidan ndaloi edhe në portin al-Arish të Egjiptit, pikën kufitare Rafah me Gazën, ndërsa vizitoi Qendrën e Logjistikës së Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane.

Ministri turk u takua gjithashtu edhe me Guvernatorin e Sinait të Veriut, gjeneral-major Khaled Megawer, si dhe sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit./aa