Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar hapjen e urës mbi lumin Ibër, duke thënë se nuk ekziston asnjë argumentim se ajo duhet të qëndrojë e mbyllur.

 

Ajo në një konferencë për media tha se ura ka mbetur si sinonim i bllokadës dhe se tani s’ka rreziqe për hapjen e saj. Kusari-Lila tha se lëvizja e lirë e qytetarëve në atë pjesë është domosdoshmëri.

Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, duke folur për “përplasjet” të presidentes Vjosa Osmani me ministren e Jashtme Donika Gërvalla dhe kryeministrin Albin Kurti, tha se nuk beson se ka dallime substanciale ndërmjet krerëve të shtetit, mirëpo shtoi se nëse ka të tilla atëherë presidentja duhet t’i bëjë ato publike.

 

Sa i përket caktimit të datës së zgjedhjeve të rregullta plenare, Rrustemi tha se konsultimet do të vazhdojnë, pasi presidentja ka edhe një muaj afat. /KosovaPress/