Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot për të gjithë qytetarët disa këshilla të dy mjekeve të familjes.

Koçiu u shpreh se në këto ditë të nxehta qytetarët duhet të ruajnë veten dhe familjen si dhe të konsultohen me mjekun e familjes për çdo shqetësim.

Ministrja Koçiu ndau këshillat e mjekeve të qendrës shëndetësore nr. 2 në Durrës, Anxhela Hyrja dhe Sidorela Ocelli, të cilat këshillojnë pacientët si të mbrohen nga temperaturat e larta.

Mjekja Anxhela Hyrja tha se “gjatë këtij sezoni këshillojmë pacientët dhe qytetarët që të mbrohen nga rrezet e ngrohta të diellit duke vendosur syzet, të veshin rroba të lehta pambuku, kremin mbrojtës dhe shmangien e orarit të ekspozimit gjatë drekës”.

Ndërsa mjekja Sidorela Ocelli theksoi se “gjatë konsultave me pacientet në këto ditë vere ne i këshillojmë të kenë kujdes me hidratimin. Duhet të konsumojnë sa më shumë ujë, lëngje frutash si dhe fruta e perime të stinës. Pacientët duhet të kenë kujdes me konsumimin e tepërt të alkoolit dhe kafeinës”.

Këshilla për mbrojtjen e popullatës nga temperaturat e larta:

– Pini sa më shumë ujë për të shmangur dehidratimin, shmangni pijet alkoolike dhe ato me kafeinë, pasi ato mund të çojnë në dehidratim.
– Përdorni veshje të lehta, Vishini rroba të lehta, të lirshme dhe me ngjyra të çelura për të ndihmuar trupin të ruajë freskinë.
– Qëndroni në hije dhe shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë ndaj diellit, veçanërisht gjatë orëve të pikut (11:00-16:00).
– Përdorni mbrojtje nga dielli si dhe vendosni kapele me strehë të gjerë dhe syze dielli për të mbrojtur lëkurën dhe sytë nga rrezatimi UV.
– Përdorni kompresë të ftohtë, bëni dushe të ftohta ose përdorni ventilatorë dhe ajër të kondicionuar për të ulur temperaturën trupore.
– Zgjidhni orët më të freskëta të ditës duke kryer aktivitetin fizik herët në mëngjes ose vonë pasdite kur temperaturat janë më të ulëta.
– Monitoroni fëmijët dhe të moshuarit, pasi ata janë më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta dhe dehidratimit.
– Nëse keni probleme shëndetësore ose po merrni medikamente që mund të ndikojnë në aftësinë tuaj për t’u përballur me të nxehtin, konsultohuni me mjekun tuaj për këshilla të veçanta./ata