Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano ka reaguar ndaj mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë.
Stano tha se po shohin veprime të pakoordinuara dhe të njëanshme nga qeveria Kurti.
“E konsiderojmë si një hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar pikërisht për arsyet që i renditëm në deklaratën e lëshuar mbrëmë. Palët, Serbia dhe Kosova, kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013 për telekomunikacionin, ku kanë thënë se shërbimet postare do të diskutohen në fazën e mëvonshme, që nënkupton se ka pasur dialog për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës dhe autoritetet kosovare dje absolutisht, plotësisht ishin të pakoordinuar me ne… Është shkelje e marrëveshjes së dialogut”, shtoi Stano.
Sipas zëdhënësit Peter Stano, shtoi se veprime të tilla mund të çojnë deri tek tensionet e reja mes dyja vendeve.
Mbyllja e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri u pa si hap i njëanshëm edhe nga diplomatë. Qeveria amerikane ka shprehur zhgënjimin nga “veprimet e njëanshme, të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës ndaj degëve të postës serbe në veri të Kosovës”.
Ambasarori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde tha se hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por rrezikojnë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE të mbetet në “inbox”./Kosovapress/