Turizmi malor në Shqipëri vlerësohet si një nga resurset turistike më të mëdha të vendit, krahas bregdetit, duke tërhequr turistë të huaj dhe vendas.
Çdo vit e më të shumtë janë të pasionuarit pas turizmit malor, prandaj Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura vjen me dy projekte shumë të rëndësishme në lidhje me studimin, përmirësimin, mirëmbajtjen dhe markimin e shtigjeve.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “projekti i parë është për shtegun “Theth-Valbonë”, ndër më të frekuentuarit në parkun kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, me një gjatësi rreth 15 kilometra, ku do të krijohen mundësi të reja për përshkimin sa më cilësor të shtegut”.
“Përgjatë shtegut do të rritet siguria përmes markimit të shtegut të verës e të dimrit, do të krijohen pika panoramike, si kubi që sheh nga Lugina e Thethit, dhe sigurisht sinjalistika përkatëse”, tha Kumbaro.
E po ashtu një punë e konsiderueshme do të bëhet edhe në shtegun prej 7 kilometrash, i quajtur “Ish-Rezervat – Liqeni i Bovillës”, shumë pranë Tiranës e që frekuentohet gjatë gjithë vitit.
“Në këtë shteg do të krijohen ballkone panoramike, pikë informimi, shtim i sinjalistikës dhe markimi përkatës për të ofruar orientim dhe eksperiencë sa më cilësore për vizitorët”, tha Kumbaro.
Zonat malore të vendit gjithnjë e më shumë po vizitohen nga turistët vendas e të huaj. Për t’i bërë më lehtësisht të aksesueshme këto zona, punonjësit e 12 Administratave të Zonave të Mbrojtura në të gjithë vendin vijojnë punën për shënjimin e shtigjeve turistike./ata