Etje për investim në biznese të reja, kjo tendencë lexohet nëse sheh shifrat e 6 muajve të parë të vitit, sipas të cilave 2 566 subjekte janë hapur, rreth 200 më shumë se një vit më parë. Por teksa kemi kaluar në gjysmën e dytë vitit, tendenca nuk është më si e muajve të parë të 2024-ës.
Dëshira për të qenë një sipërmarrës sipas ekspertëve të tregut nis e zbehet sapo ndesh klimën e vështirë të të bërit biznes në vend. Pagat por edhe më shumë taksa po i dëmtojnë sipërmarrësit aktual, por dhe ata të rinj, sipas tyre.
“Popullsia po frenohet, aspekti i dytë është kriza ekonomike në kompleks, Shqipëria në kompleks nuk është më atraktive, jo për arsye të brendshme por dhe të jashtme. Aspekti i tretë ka lidhje me nivelin e jetesës, Tirana është bërë shumë e shtrenjtë për qytetarët, në Tiranë është bërë e vështirë të jetohet dhe biznesmenët stepen para se të investojnë“, tha Klodian Muço, ekspert ekonomie.
Ana tjetër e medaljes e 2 566 bizneseve të hapura është mbyllja e qindra të tjerave në të njëjtën periudhë kohore. Sipas ekspertëve kryeqyteti po bëhet më i kushtueshëm për të investuar. Njësitë e shërbimit, shitjet me pakicë, njësitë e prodhimit, por dhe profesionet e lira janë llojet e bizneseve që po mbyllen. Por çfarë po i detyron bizneset të marrin këtë vendim?
“E fundit farë është taksa e pronës e cila po rritet deri në 76% në disa raste, kjo është barrë mbi biznesin, rriten kostot e parkimit, të magazinave etj. Në thelb janë të gjithë këta faktorë që nuk e bëjnë Tiranën tërheqëse për këtë sektor. Një pjesë e mirë e bizneseve kanë nxjerrë tabelën shitet, likuidim. Janë një sërë politikash të bashkisë që po i nxit këto biznese të zhvendosen drejt qendrave të mëdha tregtare, duke ndikuar në mbylljen apo dhe falimentimin e këtyre bizneseve të vogla”, tha Klodian Muço, ekspert ekonomie.
Biznesi i vogël aktiv në zonat urbane ka shfaqur një tkurrje të lehtë në 3 mujorin e dytë të vitit, ndërsa ai në zonat rurale vijon rritjen. Vetëm në kryeqytet deri në qershor kanë rezultuar aktive mbi 58 mijë subjekte, pjesa më e madhe e të cilave janë të regjistruara si biznese të vogla. Për të nxitur edhe më tej sektorin e biznesit, ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit do të mbështesë sektorin me grante deri në 14 milionë lekë./Tema