Forcimi i lekut u pasqyrua në një shtim të kredive të marra në monedhën europiane nga individët dhe bizneset shqiptare në gjysmën e parë të këtij viti. Megjithatë, nëse bëjmë një krahasim me kreditë e marra në lekë, më tepër familje dhe biznese kanë vendosur të marrin kredi në lekë këtë vit, sesa në euro. Shifrat tregojnë se huaja në euro ka pësuar një rritje shumë të vogël, ndërsa ajo në lekë është shoqëruar me një rritje të konsiderueshme.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i huave të marra nga individët dhe bizneset ishte mbi 782 miliardë në fund të qershorit të këtij viti, ku 455 miliardë ishin në lekë dhe 332 miliardë në euro. Ndërkohë, vlera totale e kredive të dhëna në fund të gjashtëmujorit të pare të vitit të kaluar ishte rreth 701 miliardë, 374 miliardë prej të cilave ishin në lekë dhe 327 miliardë në euro.

Që prej fillimit të 2023-it, monedha europiane ka rënë ndjeshëm kundrejt lekut shqiptar, me përjashtim të muajit gusht të vitit të kaluar. Referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, nga fillimi i muajit maj e deri më sot, euro është fiksuar dhe këmbyer me monedhën tonë kombëtare në intervalin pranë 100 lekëve.

Rënia e euros kundrejt monedhës vendase është e favorshme për ata që kanë kredi në euro, pasi zvogëlon shumën e kërkuar në monedhën vendase për të përmbushur detyrimet e huasë. Në rastet kur leku forcohet kundrejt euros, nevojiten më pak njësi në lek për t’i kthyer në euro, me qëllim kryerjen e pagesës së kredisë. Kjo zvogëlon koston e përgjithshme të shlyerjes së kredisë. Pavarësisht kësaj, kërkesa për hua në euro nga qytetarët dhe bizneset ka qenë mesatare gjatë muajve të mbiçmimit të lekut.

E parë në një këndvështrim tjetër, vetë kredia në valutë ka pasur një ndikim të vogël në kursin e këmbimit valutor, sepse ka sjellë një shtim të butë të valutës europiane në treg./Tema