Në mbledhjen e qeverisë të enjten e kaluar, u miratua vendimi për rritjen e pagave të punonjësve të pushtetit vendor. Por aktualisht kush do të përfitojë nga unifikimi i pagave në të 61 bashkitë e Shqipërisë?

Agron Haxhimali, drejtor i Shoqatës së Bashkive, shprehet:

"Unifikim të pagave sipas VKM, do përfitojnë specialistët dhe përgjegjësit e sektorëve në të 61 bashkitë e Shqipërisë. Kategoritë e tjera dhe klasat e tjera do të jenë të kategorizuara sic kanë qenë para ca kohësh në 5 grupime, por në 2 grupime. Pra do të bashkohen grupimet. Për drejtorët e kabinetit dhe sekretarët e këshillit bahskiak do kenë pagë të njëjtë bashkitë që kanë popullsi nga 100 mijë deri mbi 200 mijë banorë.”

Sipas Haxhimalit ky vendim do të ketë një impakt financiar, por rritja e pagave, si do të ndikojë në borxhin dhe detyrimet që pushteti vendor ka?

“VKM ka parashikuar qartë që ka impakt financiar. Qeveria do mbulojë pjesën e vetë për pagën minimale, dhe për rritjen në pragun maksimal është përgjegjësi e pushtetit vendor. A i kanë bashkitë të ardhruat e mundshme për të përballuar këtë lloj rritje? Kjo është pyetje e parë që duhet parë. Dhe nëse i kanë, nga do i gjejnë këto para. A do përplaset kjo shumë financiare që kanë bashkitë me palët e treta. Aq është potenciali i bashkive o do rritësh rrogat, ose do shlyesh borxhet.”

Më tej Haxhimali theksoi se në shtator bashkitë do përballen me impaktin financiar që do të ketë kjo rritje pagash. Sfidë për bashkitë mbetet shlyerja e detyrimeve./Tema