Në Spitalin Infektiv në QSUT në 48 orët e fundit nuk ka pasur asnjë rast të ri të konfirmuar me virusin e Etheve të Nilit Perëndimor.
Kështu deklaroi për ATSH-në, shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo.
“Të konfirmuara mbeten shifrat e publikuara ditën e djeshme, pra 17 raste të prekura me virusin, ndërsa 3 persona kanë ndërruar jetë. Ndërkohë që në 48 orët e fundit nuk kemi asnjë rast të konfirmuar”, theksoi Çomo.
Çomo u shpreh se “nuk kemi shtrime të reja të konfirmuara, që do të thotë, shtrohen me meningit eficalit, por të konfirmuar se janë të prekur me virusin Ethet e Nilit Perëndimor nuk kemi”.
Mjekja Çomo u bëri apel qytetarëve të mos kenë panik.
“Qytetarët të mos panikosen. E dyta, të bëjnë jetën normale dhe e treta, të përpiqen që në zonat ku janë evidentuar rastet si Laçi, Lushnja dhe Lezha, ku edhe ka më shumë mushkonja, të lyhen me solucionet kundër pickimit, të veshin rroba verore me mëngë të gjata për të shmangur zonat e ekspozimit. Për çdo ankesë që kanë të mos hezitojnë të paraqiten tek mjeku i familjes dhe mjeku specialist”, theksoi Çomo.
Ethet e Nilit është një nga sëmundjet më të zakonshme që transmetohen nga mushkonjat dhe varion nga 2 deri në 15 ditë dhe në format më të lehta sëmundja zgjat nga 3 deri në 6 ditë.
Simptomat e këtij virusi janë të ngjashme me ato të gripit, temperaturë, gjendje parehati e përgjithshme, etj. Virusi nuk përhapet nga njeriu te njeriu.
Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor; emri i së cilës rrjedh nga dega e Nilit Perëndimor në Ugandë, dhe për herë të parë është diagnostikuar në 1937 te një grua që vuante nga një temperaturë shumë e lartë.
Sëmundja tipike e kontinentit të Afrikës po përhapet edhe në pjesët e tjera të botës, siç tregojnë edhe rastet e personave të prekur në vendet e Ballkanit gjatë muajit gusht./ata