Të gjitha oraret e linjave të autobusëve ndërqytetës në Shqipëri janë integruar tashmë me Google Maps, duke shtuar edhe një mjet më shumë në ndihmë të zhvillimit të turizmit në vend.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot postimin e zyrës së Bashkëpunimit gjerman në Shqipëri, GIZ, ku theksohet se, kjo është një arritje e madhe për transportin publik shqiptar.
Kjo u arrit falë përpjekjeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe mbështetjes së GIZ Shqipëri.
Informacioni i transportit publik në të gjithë Shqipërinë është tashmë në përputhje me GTFS, një standard global i të dhënave.
GIZ falënderon të gjithë partnerët dhe kontribuuesit që bënë të mundur këtë arritje të rëndësishme.
“Së bashku, ne po përmirësojmë shërbimet publike dhe po ecim drejt një të ardhmeje më të lidhur dhe të qëndrueshme në Shqipëri”, thuhet në postimin e GIZ Shqipëri./ata