Brenda tre viteve të ardhshme politika tatimore në vend pritet të rishikohet, duke reduktuar përjashtimet tatimore e deri tek rishikimi i normave tatimore që aktualisht aplikohen.

Në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, thuhet se përjashtimet tatimore kanë dëmtuar buxhetin e shtetit, i cili po arkëton më pak para se sa duhet.

“Shqipëria arkëton në buxhet nga tatimet direkte mbi të ardhurat e biznesit dhe atyre individuale, rreth 40-50 % më pak se vendet e Bashkimit Evropian. Kjo diferencë, lidhet kryesisht me 3 faktorë: Normat përgjithësisht të uleta tatimore që zbaton Shqipëria krahasuar me vendet e BE-së; Përjashtimet nga tatimi mbi të ardhurat për bizneset dhe individët; Mosraportimi/nënraportimi i të ardhurave dhe fitimeve nga bizneset dhe individët”, thuhet në strategji.

Për këto arsye qeveria i është rikthyer edhe një herë përjashtimeve tatimore, e tillë si ajo e biznesit të vogël që nuk paguan tatim mbi fitimin dhe TVSH, që është e përjashtuar deri në vitin 2029.

Në dokument thuhet se do të bëhen analiza të thelluara dhe do të shikohet mundësia e rikthimit të tatimit mbi të ardhurat edhe për bizneset e vogla që sot janë të përjashtuara.

“Rishikimi i skemës së taksimit të bizneseve me të ardhura të ulta, duke aplikuar skema të thjeshta taksim mbi fitimin neto nëpërmjet një niveli të caktuar të shpenzimeve të supozuara në përqindje mbi të ardhurat bruto”, sipas Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027

Jo vetëm tek tatimi mbi të ardhurat, por edhe normat e kufizuara të TVSH-se do të eliminohen. Në strategji thuhet se një analizë e detajuar do të bëhet për sektorin e turizmit që sot paguan 6% TVSH.

“Në bazë të të dhënave rezulton se për subjektet deklarues deklaratë TVSH që janë në sektorët “Akomodim” dhe “Aktivitetet e shërbimit të ushqimit dhe pijeve”, të cilët kanë më shumë se 100.000 lekë shitje të tatueshme me 6 %, rezulton të ketë rritje në numrin e tatimpaguesve deklarues TVSH-je në këto fasha ndër vite, rritje me 8% në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, dhe me 17% në 2023 krahasuar me vitin 2022.

Gjithashtu, rezulton me rritje edhe TVSH-ja e paguar ndër vite, 40% rritje në 2022 krahasuar me 2021, dhe 40% rritje në 2023 krahasuar me vitin 2022.

Fokusi kryesor i tij do të jetë TVSh-ja, ndjekur nga tatimin mbi fitimin dhe tatimin mbi të ardhurat biznesore, si dhe problematikat që kanë të bëjnë me deklarimin e punonjësve”, thuhet në strategji./Scan