Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Kryetaren e sapozgjedhur të Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në këtë takim, Kurti e uroi kryetaren Sinani për formimin e koalicionit me Partinë Demokratike Shqiptare të drejtuar nga Ragmi Mustafa dhe për detyrën e re si kryetare e komunës.
Kryeministri Kurti i ofroi mbështetje në realizimin e programit qeverisës dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të qeverisë për bashkëpunim të afërt institucional në shërbim të Preshevës dhe qytetarëve atje pa dallim.
Ardita Sinani u zgjodh Kryetare e Komunës së Preshevës me 24 vota në asamblenë komunale, të mbajtur me 30 korrik 2024.
Komuna e Preshevës i ka mbi 33 mijë banorë, ndërsa sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi, shqiptarët janë minoriteti i katërt më i madhi në vend, me rreth 61 mijë shqiptarë të regjistruar./aa