Një punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut është arrestuar nga Policia e Kosovës në Prishtinë më 4 gusht nën dyshimin se është përfshirë në prodhimin dhe shëprndarjen e parave euro të falsifikuara.
I dyshuari është shtetas së Maqedonisë së Veriut, ndërsa operacioni policor u zhvillua me sukses pas bashkëpunimit të autoriteteve kosovare dhe atyre maqedonase, me mbështetjen edhe të EUROPOL dhe EUROJUST.
Sipas detajeve të publikuara nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (EUROJUST), i arrestuari dyshohet se gjatë dy vjetëve të fundit ka prodhuar me qindra-mijëra monedha 2-euroshe.
Sipas EUROJUST, i arrestuari 34 vjeçar, i cili është punonjës i MPB-së maqedonase, dyshohet se ka prodhuar rreth 2 milionë monedha false 2-euroshe, të cilat do të qarkullonin në ekonominë kosovare.
“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar makineri për prodhimin e valutës së falsifikuar, shabllone monedhash dhe lëndë e parë. I dyshuari ka qenë nën vëzhgim për një periudhë të gjatë”, thuhet në komunikatë.
EUROJUST shtoi se monedhat e sekuestruara gjatë kontrolleve do të ekzaminohen më tej, duke i krahasuar me monedha të tjera tashmë të tërhequra nga qarkullimi për të vlerësuar shkallën reale të prodhimit./aa