Një nga surprizat e edicionit të katërt të Porto Palermo Festival është ardhja në kalanë mesjetare, e këngëtares Manuela Villa.
Organizatorët ftuan artdashësit t’u bashkohen, për të përjetuar një mbrëmje unike me muzikën e artistes së njohur Manuela Villa, e cila do të performojë për herë të parë në skenën historike të Kalasë së Ali Pashës.
Me interpretimet e saj dhe repertorin e pasur, Manuela Villa premton një përvojë të jashtëzakonshme muzikore për publikun.
Ky event shënon një moment kulmor të festivalit, duke sjellë një atmosferë autentike italiane në zemër të Shqipërisë. Gjithashtu është një mundësi e rrallë për të dëgjuar live një nga zërat më të dashur të muzikës italiane, në një ambient unik.
Manuela Villa është e bija e këngëtarit dhe aktorit italian Claudio Villa, prej të cilit ka trashëguar dhe talentin për këngën. Prej vitit 1991 ajo është pjesë e programeve televizive italiane, pa lënë mënjanë edhe turnetë e këngës në Itali e botë.
Në kalanë Porto Palermos, Manuela Villa do të interpretojë mbrëmjen e datës 9 gusht./ata