Investimet në rrugë zënë peshën kryesore të shpenzimeve kapitale në buxhetin e Ministrisë së Infrastruktrës dhe Energjisë, me 37% të totalit. Ndërkohë që, raporti i monitorimit të buxhetit për 4-mujorin e parë të vitit, i publikuar vetëm pak ditë më parë, liston projektet proritare ku është përqëndruar shpenzimi i parave.

Referuar dokumentit, projektet prioritare me financim të brendshëm janë koncesionet e rrugës së Arbrit dhe rrugës Orikum – Dukat, si dhe Tuneli i Llogarasë. Ndërkohë që, projektet prioritare me financim të huaj janë: Përmirësimi dhe rehabilitimi i urave, rruga Qukës – Qafë Plloçë dhe ndërtimi i bypass-it të Tiranës.

Dokumenti liston edhe projektet kryesore rrugore që janë duke u zbatuar, sipas kategorisë së rrugës. Më konkretisht, disa nga projektet e rrugëve të tipit A, me 4 korsi janë: Unaza e Madhe e Tiranës, në të gjithë lotet e saj si dhe zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës Faza I dhe II. Ndёrtim rruge tip B, ku janё pёrfshirё kryesisht rrugë me dy korsi janë 2 objekte të financuara: Rruga Kardhiq – Delvinë Loti 8, që përfshin sistemimin dhe rivitalizimin e skarpatave, si dhe zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë – Thanë, në 8 lote të ndryshme.

Dokumenti i ministrisë liston edhe disa nga projektet për ndërtim rruge të kategorisë B2, me 2 korsi por më të ngushta ku më kryesorët janë: Rruga Korçë – Ersekë, Palasë – Dhërmi, rrugët lidhëse me aeroportin e Kukësit dhe Vlorës, etj./Tema