Gazi i lëngshëm për prodhuesit shqiptarë do të jetë pa akcizë për një periudhë 3-vjeçare.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një tryeze të përbashkët me grupet e interesit u shpreh do të bëhet një lobim i fortë për të ndryshuar skemën dhe se qeveria është e gatshme për të adresuar të gjitha çështjet që do të lehtësonin biznesin.
“Në pjesën e e akcizës së gazit ka një përllogaritje, që është pjesë e buxhetimit të Ministrisë së Financave dhe duhet një lobim i fortë për të ndryshuar skemën e parashikuar. Megjithatë ne jemi të gatshëm për të adresuar për të gjitha ato çështje që do të lehtësonin biznesin vendas dhe të huaj. Ne do t’i japim një frymëmarrje sektorit privat për një periudhë 3-vjeçare. Kjo do të jetë marrëveshja e cila synon të forcojë pozitat në tregun rajonal dhe për të rritur konkurrueshmërinë në mënyrën më transparente”, tha Balluku.
Balluku duke iu referuar praktikave europiane kur gazi i lëngshëm përdoret për ngrohje, tha se akciza është zero, ndërsa kur përdoret në industri dhe ndërtim akciza është 21 euro për ton.
“Ka praktika të ndryshme. Duke implementuar këto praktika sipas natyrës të zhvillimit ekonomik që kemi për momentin do të adresojmë kërkesat tuaja që i quajmë legjitime. Do na duhet një proces shumë i shpejtë“, tha ajo.
Nga 1 korriku 2022 hyri në fuqi vendosja e akcizës 6 lekë për litër te gazi i lëngshëm.
Balluku e cilësoi hap regresiv vendosjen e akcizës së gazit të lëngshëm për biznesin 2 vite më parë./ata