Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit” dhe në 15-vjetorin e rënies në krye të detyrës të punonjësve të Policisë së Shtetit, të shpallur “Dëshmorë të Atdheut”, Altin Dizdari, Fatos Xhani, Kastriot Feska dhe Saimir Duçkollari, të vrarë nga Dritan Dajti në 7 gusht 2009, u zhvillua një ceremoni përkujtimore në qytetin e Durrësit.

Në ceremoni morën pjesë zv/ministri i Brendshëm, Andi Mahila, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, drejtues të pushtetit vendor, familjarë të Dëshmorëve të Atdheut, si dhe kolegë të të rënëve dhe punonjës të Policisë së Shtetit.

Në nderim të 4 të rënëve u përurua memoriali, vepër e skulptorit Ardian Pepa, realizuar nën kujdesin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Po ashtu, me propozim të Bashkisë së Durrësit, Këshilli Bashkiak ka vendosur emërtimin e kësaj rruge “Dëshmorët e Policisë”.

Ky akt përbën një kujtesë ndër breza për mundin, përkushtimin dhe sakrificën e çdo punonjësi policie, që ka shërbyer dhe shërben në çdo skaj të vendit për të mbrojtur jetën, pronën dhe sigurinë e qytetarëve./BalkanWeb