Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur që të mbajë normën bazë të pandryshuar në 3%, pasi në mbledhjen e mëparshme ndryshoi për herë të parë kursin në tre vjet, duke e ulur normën me 0.25 pikë përqindje.


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se zhvillimet ekonomike dhe monetare të gjysmës së parë të vitit kanë qenë në linjë me pritjet e bankës.


“Zhvillimet ekonomike dhe monetare të gjysmës së parë të vitit kanë qenë në linjë me pritjet tona. Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, ndërsa inflacioni shënoi një rënie të ndjeshme. Kjo ecuri sugjeron se ekonomia shqiptare po lë pas pasojat e goditjes që pësuam nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2022 – 2023.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë ecuri. Normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare arriti të vërë inflacionin nën kontroll, duke mos cenuar trendin pozitiv të zhvillimit të vendit dhe stabilitetin financiar të tij.

Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se trendet pozitive të zhvillimit do të vijojnë edhe në të ardhmen. Në veçanti, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në afatin e mesëm, me norma të qëndrueshme dhe pranë potencialit, ndërkohë që inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale për pjesën e mbetur të vitit dhe të kthehet në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm”, tha Guvernatori.

Në vijim, ai u shpreh se inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë, duke qëndruar pranë nivelit mesatar prej 2.1%.

Kjo ecuri, sipas tij, u diktua thuajse tërësisht nga rënia e inflacionit të artikujve ushqimorë, dhe në veçanti të frutave e perimeve, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ishte përgjithësisht i qëndrueshëm, ndonëse me një tendencë të lehtë rënëse./BalkanWeb