“Ne kemi 10 ditë që kemi ardhur dhe jemi shumë të kënaqur që vizituam Shqipërinë. Është një vend shumë i bukur.”

Kështu u shpreh një turist i huaj që po kalon pushimet verore në bregdetin e Sarandës, por që nuk ka lënë pa vizituar as Butrintin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video me përshtypjet e turistëve vendas e të huaj që kanë zgjedhur Sarandën për të pushuar.

“Turistët që po pushojnë në bregdetin e Sarandës e të Ksamilit nuk mund të shpreheshin më të kënaqur me zgjedhjen e tyre të kësaj vere për plazhet, mikpritjen, peizazhet, po edhe atraksionet historike e kulturore siç është Butrinti i mahnitshëm”, shkruan Rama.

Një turist i huaj tha se, “më pëlqen përqasja që kanë njerëzit këtu, duket sikur askujt nuk i intereson për asgjë. Të gjithë argëtohen këtu dhe më pëlqen kjo gjë. Më pëlqen ky vend kaq mikpritës, ndihem jashtëzakonisht mirë”.

“Jam nga Shkodra, Saranda është shumë e bukur, s’ka vend si vendi ynë”, tha një pushues.

Një turiste e huaj tha se “më pëlqen shumë këtu dhe ta mendosh nuk është as shtrenjtë. Deti është shumë i bukur, si Maldive. Bëmë turin me anije sot dhe ishte vërtet shumë mirë”.

“Deti është shumë i bukur, në asnjë vend nuk është kaq blu sa këtu”, tha një turist.

Një tjetër turist, që po vizitonte Butrintin tha se “janë vende shumë interesante dhe befasuese. Është në gjendje të mirë krahasuar me vjetërsinë që ka ky vend. Le të vazhdojmë ta vizitojmë sa më shumë. Është shumë impresionuese se si këto mure të vjetra janë në këtë gjendje kaq të mirë. Është një vend shumë i bukur, kam qenë në vende të bukura dhe do vazhdojmë, me shpresën që do të vizitojmë akoma gjëra shumë të bukura përgjatë këtij udhëtimi”.

Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti Shqipëria u vizitua nga 4.5 milionë turistë të huaj./ata