Ministria e Financave dhe ajo e Ekonomisë, së bashku me institucionet në varësi, rezulton se kanë nevojat më të mëdha për punonjës, në 500 pozicionet e shpallura në Departamentin e Administratës Publike.

Sipas informacioneve të marra në DAP, Ministria e Financave kërkon konkretisht rreth 200 punonjës, ndërsa Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka rreth 100 vende të lira pune.

Më tej kërkesat për punonjës pasohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me rreth 50, si dhe Ministria e Bujqësisë me 40 kërkesa. Më pak vende të lira kanë Ministria e Brendshme dhe ajo e Turizmit me nga 25 secila.

Nevojat më të mëdha janë për juristë dhe inxhinierë. Për këtë vit ka 1 183 vende të lira pune të planifikuara për rekrutim, më e larta që prej vitit 2020. Të dhënat tregojnë se interesi i qytetarëve për të punuar në shtet ka rënë ndjeshëm.

Vjet ka patur mesatarisht rreth 13.5 aplikime për pozicion, ndërkohë që në vitin 2022 kishte 17.9 aplikime për një vend pune./Tema