Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e të mërkurës rregulloren “Për informacionin që shoqëron transfertat e fondeve”.

Miratimi i rregullores “Për informacionin që shoqëron transfertat e fondeve” vjen në vijim të punës së Bankës së Shqipërisë për plotësimin e kuadrit rregullativ dhe kushteve për anëtarësimin e Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Kjo rregullore dhe përafron kërkesat e Rregullores së BE 2023/1113 në lidhje me transfertat e fondeve në vendin tonë.

Sipas BSH-së, në kuadër të pjesëmarrjes në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), për qëllime të parandalimit, zbulimit dhe hetimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, rregullorja përcakton informacionin mbi paguesin dhe përfituesin që do të shoqërojë transfertat e fondeve në euro, ku të paktën një nga ofruesit e shërbimeve të pagesave të përfshirë në transfertën e fondeve ndodhet në Republikën e Shqipërisë.

Rregullorja gjithashtu përcakton rregulla për politikat, procedurat dhe kontrollet e brendshme për ofruesit e shërbimeve të pagesave, me qëllim zbatimin e masave shtrënguese, pavarësisht transaksionit të përfshirë ose monedhës së përdorur, si dhe kërkesa në lidhje me detyrimin për ruajtjen dhe mbrojtjen e të dhënave.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) pritet të vendoset brenda këtij viti. Anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë lehtësi të mëdha në kryerjen e pagesave ndërkombëtare me kosto më të ulëta dhe në kohë më të shpejtë./ata