Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, ishte këtë të enjte në një strukturë agroturizmi në Petrelë, e cila është mbështetur nga programi IPARD II.
Duke ndarë në profilin e saj në rrjetet sociale foto nga vizita e saj në strukturën agroturistike, Denaj e cilëson një oaz me shije dhe eksperiencë unike të traditës shqiptare.
“Agroturizëm Oda Hasan Beu, në Petrelë. Një oaz me shije e eksperiencë unike të traditës shqiptare e ofruar mes kodrave të Petrelës, ndërtuar me mbështetjen e programit IPARD II.
Shpëtimi dhe Elona na tregojnë se në restorant ofrojnë një kulturë të gjerë kulinare, bazuar në ushqimet tradicionale, me produkte të cilat grumbullohen nga familjet fermerë të fshatrave përreth”, shkruan Denaj.
“Vera shqiptare është gjithashtu një produkt që preferohet shumë nga vizitorët, veçanërisht turistët e huaj, të cilët nëpërmjet njësive agro-turistike tashmë mund të zbulojnë Shqipërinë multi-dimensionale, jo vetëm përmes bregdetit, por edhe nëpërmjet ofertës ushqimore unike. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, përfundon Denaj./ata