Ndër shumë bekime që natyra i ka falur vendit tonë është larmia e florës, pjesë së cilës janë edhe bimët aromatike dhe mjekësore.
Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole zhvilloi një vizitë në biznesin “Natural Herbal” në Maliq, themeluar dhe udhëhequr nga Roland Gypi me mbështetjen e Emiljanit, djalit të tij.
“Kompania “Natural Herbal” është një nga grumbulluesit dhe konsoliduesit më të mëdhenj të bimëve aromatiko-mjekësore në qarkun tonë. Sipërmarrja operon nga viti 1993 dhe ka sot 8 të punësuar me kohë të plotë, ndërsa për vjeljen bashkëpunojnë mbi 1000 familje”, theksoi Jole.
Kjo sipërmarrje tregton rreth 100 zëra të bimëve aromatike dhe mjekësore.
“Kompania qarkullon për eksport në një vit rreth rreth 50 tonë deri më tani, kryesisht eksporte me Gjermaninë, Serbinë, Greqinë etj, duke bashkëpunuar me kompani të konsoliduara dhe serioze brenda dhe jashtë vendit”, bëri të ditur Jole.
Prefekti Jole tha se një aspekt i rëndësishëm është nevoja për investimin e furrave pranë zonave të grumbullimit për tharjen e bimëve të njoma, e cila kërkon kohë shumë të gjatë për të ndodhur në kushte atmosferike.
“Mundësitë për ta zhvilluar këtë sektor janë të shumta, por edhe pse sfidat s’janë të lehta, bashkëpunimi më i mirë midis subjekteve paralele, me qëllim që të sigurohet një dalje më e sigurt në tregje, marketim dhe mbrojtje e origjinës së produkteve shumë të kërkuara nga vende të zhvilluara”, theksoi Jole.
Gjatë takimit theksi u vendos edhe tek përpjekjet për krijimin e partneriteteve në formën e “federatës” me bashkim kapitali, për këtë nënsektor të rëndësishëm të bujqësisë.
“Emiljani dhe prindërit e tij me angazhimin e tyre në këtë sektor fuqizojnë potencialin ekonomik të rajonit tonë”, tha Jole.
Në Shqipëri kultivohen mbi 330 lloje bimësh mjekësore dhe aromatike, që janë një vlerë e shtuar në eksportet bujqësore shqiptare. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, eksportet janë të përqendruara në vendet e BE-së dhe kryesisht në SHBA, ku peshën më të madhe e zë tregtia e bimës së sherbelës.
Ky sektor punëson mbi 90,000 punonjës, 10 % e të cilëve janë gjithashtu të angazhuar në kultivimin e bimëve në një sipërfaqe prej mbi 6000 hektarë. Sipërmarrjet e këtij sektori po rrisin investimet edhe për përpunimin e bimëve mjekësore, duke shtuar vlerën e eksporteve./ata