Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një bisedë telefonike me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, diskutoi tensionin në rritje në Lindjen e Mesme, kryesisht në vijën kufitare të Libanit dhe Izraelit.

Në një deklaratë të bërë nga pallati Elysee njoftohet se Macron dhe Netnayahu zhvilluan një bisedë telefonike në të cilën Macron ka deklaruar se Franca është e vendosur të shmangë çdo rritje të tensionit ushtarak në rajon.

Në deklaratë thuhet se Macron i ka bërë thirrje Netanyahut të shmanget nga mentaliteti i ciklit të hakmarrjes që do të vinte në rrezik stabilitetin e rajonit dhe popullit të tij.

"Përballë rritjes së tensionit në kufirin midis Izraelit dhe Libanit, në pikën e Vijës së Kaltër (vija kufitare mes Izraelit dhe Libanit) duhet të tregohet çdo përpjekje sipas rezolutës 1071 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të parandaluar një konflikt në rajon. Një luftë mes Izraelit dhe Libanit do të kishte pasoja shkatërruese për të gjithë rajonin", ka deklaruar Macron.

Ai i ka shprehur Netanyahut se përparësia kryesore e Francës është të sigurojë një armëpushim në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur, të lirojë të gjitha pengjet dhe të sigurojë qasje në shkallë të gjerë dhe të papenguar të ndihmave humanitare për qytetarët e Gazës.

Gjithashtu, Macron ka thënë se vendi i tij do të vazhdojë me partnerët të kërkojë konsensus politik për një zgjidhje me dy shtete në rajon dhe se Netanyahu dhe Macron vendosën të qëndrojnë në komunikim të ngushtë për shkak të tensionit në rritje në rajon./aa