Vendet fqinje dhe të Rajonit të Ballkanit janë prekur nga një gjendje epizootike,  si rezultat i shfaqjes së disa sëmundjeve infektive në kafshë, si; Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, Bruceloza, Tuberkulozi.

Nisur nga kjo situatë, për shkak të marrëdhënieve tregtare që kemi me këto shtete, qeveria shqiptare është vendosur në lëvizje për të marrë masat e para parandaluese.

Autoriteti Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve njofton se gjendja epizootike në vendin tonë është e pastër dhe se deri më tani nuk është konstatuar asnjë rast me Murtajën e Ruminantëve të Vegjël, sëmundje që po shkakton dëme në shtetin e Greqisë dhe Rumanisë.

Ndërsa bëhet me dije se ka pasur rastet të diagnostikuar me Brucelozë dhe Tuberkuloz, të cilat sipas këtij institucioni,  janë sporadike dhe janë trajtuar sipas legjislacionit në fuqi.

Ministria e Bujqësisë, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Autoriteti Kombëtar i Bimëve, në bashkëpunim dhe me institucione të tjera po ndjekin nga afër gjithë situatën, ku bëhet me dije se janë marrë masa për ndërprerje të importit të të imtave nga vende ku është shfaqur sëmundja; janë ngritur grupe pune për sensibilizimin e trupës së saj inspektuese dhe të blegtorëve si dhe janë informuar fermerët për shenjat e klinike të sëmundjes dhe masat që duhen marrë në çdo rast dyshimi.

Konkretisht, me urdhër të Ministrisë së Bujqësisë, publikuar në Fletoren Zyrtare, është ndaluar importi i kafshëve të gjalla dhe mishit të derrave nga Bosnje-Hercegovina, Gjermania, Ukraina dhe Turqia si pasojë e sëmundjes së murtajës afrikane;  si dhe është ndaluar importi i shpendëve të gjallë dhe mishit të tyre nga Italia.

Po ashtu, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe atë Kufitare janë ngritur grupe të përbashkëta kontrolli në akset nacionale dhe zonat kufitare për kontrollin e lëvizjes së kafshëve me dokumentacion sipas legjislacionit. Këto grupe janë të gatshme 24 orë.

Gjithashtu bëhet me dije, se inspektorëve të AKU në Pikat e Kalimit Kufitar në çdo rast do t’i bashkohen veterinerë kontrolli të Shërbimit Veterinar për verifikimin e gjendjes së kafshëve. Ndërkohë është komunikuar me autoritetet e Bashkive kufitare me Greqinë për të bashkëpunuar me shërbimin veterinar.

Autoriteti Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve  thekson se nuk ka vend për panik, por kërkon edhe bashkëpunim dhe nga qytetarët për kalimin e kësaj situate./Tema