Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi sot dy arsyet thelbësore për ndryshimin e projektligjit “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror “Albcontrol”.
Sipas saj, “Albcontrol nuk mund të jetë sh.a, pasi duhet të paguaj tatim, por ndërkohë kjo kompani nuk prodhon fitim. Aderojmë në marrëveshjen me “Eurocontrol”, që nuk prodhojmë fitim. Ndaj dhe po i ndryshojmë formatin duke e kthyer në një institucion publik buxhetor jo fitim prurës. Së dyti, kompania si sh.a., ka aderuar dhe ka qenë në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, e cila nuk ka ekspertizën në fushën e aviacionit civil dhe për ketë arsye kalon në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si ministria e linjës që udhëheq strategjinë e aviacionit civil”.
Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, Balluku hodhi poshtë akuzat e deputetit të opozitës Xhelal Mziu, që parashtroi përdorim të fondeve të “Albcontroll” nga qeveria, apo financim të padrejtë të qeverisë për kompaninë ajrore “Air Albania”, apo për aeroportin e Kukësit.
“Të gjitha çka thatë janë dezinformim i publikut”, tha Balluku.
“‘Albcontrol’ nuk ka fitim. Drejtohuni ‘Eurocontro’l-it që t’jua shpjegojnë ata, që e kanë ‘Albcotrol’-in pjesë të marrëveshjes. Nuk ka fitime kompania quhet me kosto zero. Ne deklarojmë çdo vit në takimin me 47 vendet anëtare, sepse është publik i gjithë negocimi dhe vendoset kosto për milje, e cila i korrespondon të ardhurave vjetore, që kompanisë i duhen për të mbuluar kostot operative dhe investimet të nxitura nga industria, të vijnë si politika nga ‘Eurocontrol’ dhe implementohen në shkallë europiane. Edhe pagat e punonjësve të ‘Alcontrol’ vendosen nga ‘Eurocontrol’, pasi ato ofrojnë shërbim ndërkombëtar”, tha Balluku.
Ministrja informoi se, shtetit shqiptar nuk ka kompensuar me asnjë lek aeroportin e Kukësit.
“Aeroporti i Kukësit është funksional dhe është kompania koncesionare që vendos për fluturimet. Ai ka qenë një aeroport militar i kyçur, i cili me një investim serioz rreth 30 milionë euro u bë funksional. Nuk ka asnjë angazhim të buxhetit të shtetit për aeroportin e Kukësit”, tha ajo.
Sa i takon buxhetimit për kompaninë “Air Albania”, Balluku bëri të ditur se, “vetëm 10% është kontributi i shtetit për të mbajtur flamurin kombëtar në “Air Albania””./ata