Një ditë pas takimit të Ilir Metës me Sali Berishën në selinë e PD, Partia e Lirisë ka publikuar listën e emrave që do të kandidojnë për këshillin bashkiak të Tiranës në zgjedhjet lokale të 14 majit. Lista me 62 emra udhëhiqet nga emra të cilët kanë dhënë kontribute në partinë e Lirisë ndër vite.

 

Lista e kandidatëve për këshillat Bashkiak tregon se PL nuk do të përfshihet në koalicionin që po krijohet nga PD e drejtuar nga Berisha. Një fakt të tillë, Klan News e konfirmoi dy ditë më parë.

 

Nga ana tjetër, kryedemokrati Berisha është drejt finalizimit të koalicionit me PBDNJ e Vangjel Dules dhe PAA drejtuar nga Agron Duka, ndërsa është në konsultime të vazhdueshme me partitë e tjera opozitare.

 

Pavarësisht se PL nuk përfshihet në koalicionin e Berishës për shkak se tashmë nuk e lejon Kodi Zgjedhor, Meta ka bërë thirrje publike për mbështetjen e kandidatëve të dalë nga primaret për zgjedhjet e 14 majit.