Mundësi që përfaqëson Shqipërinë në “Paris 2024”, Chermen Valiev është eliminuar nga Lojërat Olimpike. Rusi i natyralizuar u mposht në çerekfinale 6-5 nga uzbekistanasi Jamalov Razambek. Dueli ishte i vlefshëm për peshën deri në 74 kilogramë, në stilin e lirë të mundjes. Tani fati i Valiev varet nga ai i mundësit uzbek, i cili nëse shkon në finale, do të çonte mundësin që përfaqëson Shqipërinë në ndeshjet për medaljen e bronztë.

Ecuria e Chermen Valiev 

Në duelin e 1/8, Valiev kaloi 4-3 me përmbysje rivalin azer Turan Bayramov. Në çerekfinale, 26-vjeçari s'ia doli të mbante avantazhin e fituar në raundin e dytë, duke u penalizuar nga dy ndëshkimet me karton të verdhë dhe në fund kundërshtari Jamalov Razambek fitoi 6-5, duke shuar ëndrrën e shqiptarëve për një medalje olimpike nga raundi i rregullt.

Pas eliminimit të Abakarov dhe Valiev, nesër është radha e rusit tjetër Islam Dudaev që në peshën deri 64 kg të përfaqësojë Shqipërinë në mundje. Dudaev është shpresa e vetme e mbetur për Shqipërinë që të kërkojë medaljen e parë historike në Lojërat Olimpike.

Kujtojmë se kuqezinjtë në këtë event u përfaqësuan me tetë sportistë, duke mos ia dalë të garojnë për medalje./Shqiptarja

Faximile e ndeshjes çerekfinale