Mes produkteve të shumta bujqësore të cilat kanë mbetur stok apo shiten nën koston e prodhimit janë patatja dhe qepa. Aktualisht në tregun e shumicës 1kg patate tregtohet me 25 lekë ndërkohë që duhet të tregtohet me 30 lekë për të qenë në kosto. Po në të njëjten vlerë tregtohet 1 kg qepë.

Julian Guri është një ndër fermerët më të mëdhenj të Maliqit i cili tregon se shkak i falimentimit të tyre është konkurenca e produkteve të Kosovës. Patatja dhe qepa e Kosovës hyjnë në Shqipëri me çmim më lirë për shkak të subvencionimit.

“Ne jemi të mbaruar këtë vit, nuk kemi shitur asgjë, humbja është shumë e madhe. Unë do heq dorë nga bujqësia. Ma ka lënë amanet babai: Kur të vdes mos më bëj gjellë me patate”, shprehet i dëshpëruar,  Julian Guri. 

Isuf Sari është një tjetër femer i zonës së Zvirinës në Maliq i cili i revoltuar thotë se qeveria duhet të ndryshojë taksën doganore, në mënyrë që në treg të dalë prodhimi vendas.

“Shteti për dy muaj duhet ti mbyllë doganat ose të vendosë taksë se ne s’po shesim asgjë. Unë kam shpenzuar paratë e pensionit për të blerë pesticidet, tani gjithë prodhimi ka mbetur në fushë. S’kemi nga ta çojmë, nuk vjen njeri ta marrë prodhimin”, tha i moshuari.

Igli Hoxhaj një fermer i ri i Zvirinës i cili kultivon 3 hektarë patate dhe qepë, pasi u kthye nga emigrimi nisi të merret me bujqësi së bashku me familjen e tij. Sot shprehet i penduar pasi mungesa e tregut dhe çmimet nën kosto po e detyrojnë të braktisë këtë sektor. Edhe fermeri Sali Dervishi ankohet së këtë vit mundi i tij ka shkuar dëm pasi nuk ka shitur asnjë prej prodhimeve bujqësore.

Në këto kushte, fermerët kanë nisur të magazinojnë në kavaleta qepët, ndërsa për pataten gjenden në vështirësi pasi nuk kanë ambiente për magazimin e saj.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Bujqësisë në Bashkinë Maliq, në gjithë zonën kultivohen 780 hektarë me patate dhe 850 hektarë me qepë./Shqiptarja