Armando Broja është një nga emrat më të lakuar të merkatos së verës, me sulmuesin shqiptar që është shumë pranë largimit nga Chelsea.

Në Angli janë të sigurt për lamtumirën e tij nga “Blutë” e Londrës, teksa shumë klube kanë shfaqur interes për shërbimet e 22-vjeçarit shqiptar.

Së fundmi, duket se dhe një tjetër klub me emër në Premier League ka shfaqur interes për shërbimet e yllit të Kombëtares kuqezi dhe bëhet fjalë për Arsenalin.
“Topçinjtë” janë në kërkim të një sulmuesi pasi shumë shpejt do të largohet Eddie Nketiah drejt Olympique Marseille.

Mediat pranë klubit londinez bëjnë me dije se trajneri Mikel Arteta ka dërguar skautët e tij drejt kampit të Chelseat për të mësuar më shumë rreth Brojës, të cilin e shohin si zëvendësuesin kryesor të sulmuesit anglez.

Gjithsesi gjërat pritet të mos jenë të lehta, duke parë dhe rivalitetin historik mes Chelseat dhe Arsenalit, me “Blutë” që nuk duan të përforcojnë një rival në kampionat./Tema