Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha përkujtoi sot poetin e madh Havzi Nela, i cili 36 vite më parë u var në litar nga regjimi komunist.
Basha shkruan se borxhi i pashlyer ndaj Havzi Nelës, xhelatët e të cilit nuk u përballën kurrë me drejtësinë, si dhe borxhi ndaj të gjitha viktimave të regjimit gjakatar dhe pasardhësve të tyre, është detyrimi më i madh moral dhe material ndaj të shkuarës dhe brezave të ardhshëm.
Sipas tij, fillimi i pandëshkueshmërisë që sundon tranzicionin, përkon me mungesën e ballafaqimit me drejtësinë e kriminelëve të regjimit me krimet e tyre.
“10 gushti i 1988 ka hyrë në kujtesën tonë kolektive, si dita në të cilën regjimi gjakatar komunist kreu një nga aktet më barbare të historisë, duke ekzekutuar në litar në qendër të Kukësit poetin, patriotin, mësuesin disident, Havzi Nelën. Jeta e tij tragjike u thye sepse regjimi edhe pse e torturoi, internoi dhe arrestoi, nuk e mposhti dot guximin dhe shpirtin e tij rebel”, shtoi Basha.
Sipas tij,”vepra dhe idetë e Havzi Nelës ishin dhe mbeten një monument njerëzor i rezistencës antikomuniste, i kurajos qytetare dhe intelektuale për të mos u përkulur përballë të keqes edhe kur ajo duket e pathyeshme, e vetëmohimit për të paguar me çmimin e jetës vlerat e patjetërsueshme të humanizimit me të cilin poeti martir ishte mbrujtur”./ata