Procedohet penalisht në gjendje te lirë kandidati i “Bashkë Fitojmë” në bashkinë e Kuçovës. Lefter Maliqi do ndiqet penalisht pasi ka fyer  4 persona, punonjës në një firmë ndërtimi në Kuçovë.

 

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi Sh. Sh., se shtetasit L. M. dhe M. H. e kishin fyer me fjalë, i kanë shoqëruar në Komisariat, këta dy shtetas, si dhe kanë njoftuar prokurorin e gatshëm, në lidhje me këtë rast.

 

Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. M., 51 vjeç, banues në Tiranë (kandidat për kryetar të bashkisë Kuçovë) dhe M. H., 48 vjeç, banues në Kuçovë (mbështetës i kandidatit).

 

Mbrëmjen e djeshme, në ambientet e një lokali në qytetin e Kuçovës, dyshohet se këta shtetas kanë fyer me fjalë dhe kanë shpifur për shtetasit Sh. Sh., 59 vjeç, A. Sh., 39 vjeç, A. K., 44 vjeç dhe A. K., 57 vjeç, të katërt punonjës të një firme ndërtimi.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Fyerja” dhe “Shpifja”, të kryera në bashkëpunim”,-thuhet në njoftimin e policisë.