Në qendrat shëndetësore verore në qytete të ndryshme të vendit pushuesit dhe turistët e huaj vijojnë të marrin shërbim mjekësor falas.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot opinionet e pushuesve që kanë përfituar nga kujdesi shëndetësor në Gjirin e Lalzit.
“34 qendrat shëndetësore verore janë të hapura 24/7 në Shqipëri. Nga veriu në jug, gjithmonë pranë jush për t’ju siguruar pushime të qeta dhe të sigurta”, u shpreh ministrja.
Ndërkohë dy të rinj që kanë marrë shërbim pranë qendrës shëndetësore verore të vendosur në Gjirin e Lalzit tregojnë eksperiencat e tyre.
“Është mirë që kemi një qendër shëndetësore afër Lalzit sepse shërbimin mund ta marrim shumë shpejt. Në rastin tim u dogja dhe mora shërbimin më të shpejtë dhe më të mirë”, u shpreh një i ri.
Një tjetër vlerësoi shërbimin, ndërsa u shpreh i kënaqur që ka qendër shëndetësore te Gjiri i Lalzit./ata