Siç u shpreh dikur Alexander Hamilton “Vetëruajtja është detyra e parë e një kombi”. Por interesat jetike të SHBA-së po kërcënohen gjithnjë e më shumë nga Kina, dhe mund të grupohen në 5 kategori:
1. Për të parandaluar përdorimin dhe reduktimin e kërcënimit të armëve bërthamore, biologjike dhe kimike dhe sulmeve katastrofike konvencionale terroriste apo sulmeve kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara, forcave të saj ushtarake jashtë vendit apo aleatëve të saj.
Raketat balistike ndërkontinentale (ICBM) dhe aftësitë bërthamore të Kinës në rritje, përbëjnë një kërcënim për territorin amerikan dhe për forcat e tij jashtë vendit. Kina planifikon që të rrisë stokun e saj të armëve bërthamore strategjike, nga rreth 500 në vitin 2022, në 1500 deri në vitin 2035.
Kjo rritje do të shoqërohet me zgjerimin e infrastrukturës për prodhimin dhe ndarjen e plutoniumit. Thuhet se Pekini po ndërton 300 kapanone të reja të lëshimit të raketave në shkretëtirën perëndimore të vendit. Pra një rritje me 10 herë nga numri i tyre në vitin 2022, përveç arsenalit prej rreth 100 lëshuesish të lëvizshëm të raketave ICBM.
2. Për të penguar përhapjen e armëve bërthamore, siguruar armë dhe materiale bërthamore për të reduktuar përhapjen e mëtejshme të sistemeve të shpërndarjes për armët bërthamore me rreze të ndërmjetme dhe të gjatë.
Pekini vazhdon t’i lejojë kompanitë e saj shtetërore që të shkelin Regjimin e Kontrollit të Teknologjisë së Raketave ( MCTR ) dhe “të përhapin teknologjinë që Irani ka përdorur për të përmirësuar saktësinë, rrezen dhe vdekshmërinë e raketave të tij balistike”. Njëherazi, Pekini
ka dëmtuar sanksionet kundër Teheranit, duke e rritur ndjeshëm mbështetjen e tij ekonomike për Republikën Islamike.
Kina ka mbetur partneri kryesor tregtar i Republikës Islamike, dhe tregtia midis dy vendeve është mbi 15 miliardë dollarë në vit. Nëse Irani arrin të pajiset me armën bërthamore, Pekini, do të mbajë një përgjegjësi të madhe për shkak të ndihmës së tij ekonomike dhe teknike.
Po ashtu, Pekini, i ka toleruar qytetarët dhe korporatat e tij që të shkelin MTCR përkundrejt Koresë së Veriut, pavarësisht synimit të deklaruar të Kinës për të gjetur një zgjidhje paqësore për programin bërthamor të Phenianit.
3. Të ruajë një ekuilibër global dhe rajonal të fuqisë që promovon paqen, stabilitetin dhe lirinë përmes qëndrueshmërisë së brendshme, ndikimit në skenën ndërkombëtare dhe të fuqisë së sistemeve të aleancave.
Pekini ka ndërmarrë një sulm të gjithanshëm ndaj ekuilibrit ushtarak, ekonomik dhe diplomatik të fuqisë në Azi, dhe ndaj sistemit të aleancave të SHBA-së në rajon. Modernizimi ushtarak i Kinës, i mundësuar nga rritja e paprecedentë e shpenzimeve të mbrojtjes, ka hedhur themelet për këtë ndryshim të shpejtë.
Modernizimi i Ushtrisë Çlirimtare Popullore, përfshin një strukturë të re komandimi dhe kontrolli, pajisje të përmirësuara për marinën, forcat ajrore dhe ushtrinë, zgjerimin dhe përmirësimin e trajnimit për kadetët dhe krijimin e Forcës Mbështetëse Strategjike për të centralizuar aftësitë.
Përveç shtimit të arsenalit të tij bërthamor, Pekini krenohet tani me marinën më të madhe në botë, si dhe me inventarin më të madh të raketave balistike dhe atyre lundruese. Në aspektin ekonomik, Kina ka ndjekur dy strategji për të dëmtuar pozitën e SHBA-së në Indo-Paqësor.
Së pari, Pekini kërcënon dhe detyron partnerët e Amerikës në Azi të ndjekin politika të favorshme për dominimin rajonal kinez. Së dyti, Republika Popullore ka krijuar dhe tani promovon organizata dhe nismë ekonomike ndërkombëtare që përjashtojnë Shtetet e Bashkuara, privilegjojnë pozicionin e Kinës dhe minojnë rregullat dhe standardet globale.
Ndërkaq, Kina është përpjekur të zgjerojë lidershipin e saj në institucionet qeverisëse ndërkombëtare dhe të dobësojë ndikimin e SHBA-së. Pekini është bërë më këmbëngulës dhe më aktiv në OKB, duke sulmuar normat demokratike, përfshirë sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, transparencën dhe llogaridhënien.
4. Për të parandaluar shfaqjen e fuqive armiqësore apo shteteve të dështuara në Hemisferën Perëndimore.
Pekini është përpjekur me sukses që të thellojë aleancat e tij strategjike me vendet e Amerikës Latine, gjithnjë e më shumë në kurriz të Shteteve të Bashkuara. Kina është sot partnerja kryesore tregtare e Amerikës së Jugut, dhe e dyta më e madhe për Amerikën Latine në tërësi, pas Shteteve të Bashkuara.
Ky është një hap i rëndësishëm për një vend që në vitin 2000, zinte më pak se 2 për qind të eksporteve të Amerikës Latine. Kina ka ndërtuar porte, hekurudha dhe diga, ka instaluar rrjete 5G në të gjithë Amerikën Latine, dhe ka dhënë hua 138 miliardë dollarë për vendet e rajonit.
5. Të sigurojë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e sistemeve kryesore ndërkombëtare (tregtisë, tregjeve financiare, shëndetit publik, furnizimeve me energji, hapësirës kibernetike, mjedisit, lirisë së lundrimit në dete dhe hapësirës së jashtme).
Gjatë 15 viteve të fundit, Kina është përpjekur t’i dobësojë gati të gjitha këto sisteme të mëdha globale. Përmes shkeljeve të përsëritura të praktikave tregtare ndërkombëtare, Pekini ka prishur stabilitetin e tregjeve botërore. Ai përdor qindra miliarda dollarë në subvencione qeveritare dhe mbiprodhim të qëllimshëm, për të furnizuar tregjet globale me mallra dhe shërbime kineze me çmime artificialisht të ulëta.
Ndërkohë kufizon qasjen në treg për kompanitë e huaja dhe vendos barriera arbitrare jo-tarifore. Gjatë pandemisë së Covid -19, Kina vonoi për javë të tëra transmetimin e të dhënave thelbësore dhe vazhdon t’i rezistojë çdo lloj hetimi serioz mbi origjinën e virusit.
Për më tepër, roli i Kinës në epideminë e drogës fentanil përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për qytetarët amerikanë. Ndërkohë, ajo përdor sulmet kibernetike dhe spiunazhin kibernetik si elementë të fushatave të ndikimit në Shtetet e Bashkuara, përmes të cilave përpiqet të formësojë perceptimet publike për Kinën, të shtypë kritikat dhe të mashtrojë votuesit amerikanë.
Ajo ka depërtuar në infrastrukturën amerikane dhe objektet më të rëndësishme dhe vazhdon të vjedhë të dhëna nga qindra miliona amerikanë. Steve Tsang, drejtor i Institutit të Kinës në Shkollën e Studimeve Orientale dhe Afrikane me qendër në Londër, i përmbledh kështu ambiciet e presidentit kinez:“Xi Jinping nuk po përpiqet të konkurrojë më tej Amerikën në rendin ekzistues ndërkombëtar liberal të dominuar nga Shtetet e Bashkuara. Synimi i tij afatgjatë është të ndryshojë rendin botëror, në një rend të udhëhequr dhe me në qendër Pekinin”. / SyriNet