Zv/presidentja e SHBA-së, Kamala Harris, protestuesve pro-palestinez që brohoritnin slogane në tubimin e saj të fushatës në Arizona u tha se është koha për “të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për të përfunduar një marrëveshje pengjesh”.

Sipas faqes së lajmeve ‘The Hill’, Harris iu përgjigj mbështetësve pro-palestinezë që brohoritnin “Palestina e lirë” në tubimin e mbajtur në Phoenix.

“Unë kam qenë e qartë. Tani është koha për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për të përfunduar marrëveshjen e pengjeve. Koha është tani”, tha ajo.

Duke theksuar se presidenti Joe Biden dhe ajo po punojnë për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për kthimin e pengjeve, zv/presidentja Harris tha se ajo respekton pikëpamjet e mbështetëve pro-palestinezë.

Pavarësisht thirrjeve nga ndërmjetësit të enjten, përfshirë Egjiptin, SHBA-në dhe Katarin, për të ndaluar armiqësitë, si dhe për të arritur një armëpushim dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve, Izraeli vazhdon me ofensivën vdekjeprurëse në Rripin e Gazës.

Që nga tetori i kaluar pas një sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas, sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës kanë vrarë të paktën 39.700 palestinezë.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionet ushtarake në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.

Presidenti Biden vendosi të tërhiqet nga gara presidenciale që do të mbahet më 5 nëntor dhe ofroi “mbështetje dhe miratim të plotë” që Harris të jetë kandidate e Partisë Demokratike, pas çka zv/presidentja filloi zyrtarisht fushatën e saj presidenciale./aa