Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes ka deklaruar se Izraeli ka kryer një “krim të ri kundër njerëzimit” duke vrarë mbi 100 civilë që ishin strehuar në një shkollë në lagjen Al-Daraj në qytetin Gaza.

“Ky sulm tregoi edhe një herë se qeveria e Natanyahu-t synon të sabotojë negociatat për një armëpushim të përhershëm”, theksoi ministria turke.

Siç tha ministria turke, “aktorët ndërkombëtar që nuk ndërmarrin hapa për ta ndaluar Izraelin janë bashkëpunëtorë në krimet e Izraelit”.

Sot herët, Zyra e Qeverisë për Media në Rripin e Gazës njoftoi se ushtria izraelite bombardoi shkollën Al-Taba’een në lagjen Al-Daraj ku kishte të strehuar palestinezë të zhvendosur, duke vrarë të paktën 100 civilë.

Nga atje theksuan se ushtria izraelite shënjestroi “drejtpërdrejtë” civilët e zhvendosur gjatë faljes së namazit të sabahut, që çoi në një rritje të shpejtë të numrit të viktimave.

Pavarësisht thirrjeve nga ndërmjetësit të enjten, përfshirë Egjiptin, SHBA-në dhe Katarin, për të ndaluar armiqësitë, si dhe për të arritur një armëpushim dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve, Izraeli vazhdon me ofensivën vdekjeprurëse në Rripin e Gazës.

Që nga tetori i kaluar pas një sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas, sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës kanë vrarë të paktën 39.800 palestinezë.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionet ushtarake në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa