Zyrtarja e Departamentit të Shtetit në SHBA, Annelle Sheline dha dorëheqje si reagim ndaj politikës së administratës së Joe Bidenit për Gazën dhe ndaj dërgimit aktualisht të armëve në Izrael.
Në deklaratën e saj për "The Guardian", Sheline ka dhënë deklarata lidhur me arsyet e dorëheqjes nga posti i saj në Departamentin amerikan të Shtetit.
Sheline tha se shpresonte të kishte një ndikim në politikën e administratës për Gazën duke qëndruar në pozicionin e saj në Departamentin e Marrëdhënieve me Lindjen e Afërt të Departamentit amerikan të Shtetit, duke zhvilluar konsultime dhe duke përcjellë shqetësimet e saj tek eprorët e saj. Ajo tha se humbi besimin se SHBA-ja mund të bënte gjithçka për të ndalur furnizimin me armë për Izraelin dhe për këtë arsye dha dorëheqje.
"Arsyeja kryesore e dorëheqjes ishte se nuk doja të kisha më asnjë lidhje me këtë administratë", theksoi Sheline lidhur me dorëheqjen nga detyra e saj duke shtuar se shumë kolegë të saj i kanë thënë se do të jepnin dorëheqje nëse do të mund të kapërcenin vështirësitë financiare dhe se e kanë inkurajuar atë që në vend të largimit në mënyrë të heshtur të flasë rreth arsyes së largimit.
"Kam një vajzë të vogël. Ende nuk ka mbushur dy vjeçe. Nëse një ditë në të ardhmen e mëson këtë çështje dhe nëse më pyet për punën që kam bërë në Departamentin amerikan të Shtetit, dua t'i them asaj se kam bërë më të mundurën time", u shpreh Sheline.
Në kuadër të "Ligjit Leahy" në SHBA, armët nuk mund t'u shiten shteteve dhe grupeve që përcaktohen se kanë shkelur të drejtat e njeriut, shtoi Sheline e cila duke rikujtuar "Aktin e Ndihmës së Huaj" i cili nëse presidenti është i informuar për kufizimin ose pengimin e ndihmës humanitare të qeverisë amerikane nga një vend tjetër e ndalon ndihmën për vendin në fjalë, Sheline tha se administrata e Bidenit po shkel ligje të tilla si këto duke vazhduar të furnizojë me armë.
- Ka prova se është shkelur ligji ndërkombëtar
Sheline vuri në dukje se Departamenti amerikan i Shtetit, është në dijeni të shumë provave se Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar në sulmet e tij në Gaza dhe tha se "Ligjet janë të qarta këtu dhe ne kemi prova. Por, detajet nuk ndiqen".
"Provat dhe rezultatet e shqyrtimit të ekzaminuara nga Departamenti do të ndahen me publikun vetëm kur të dëshirojë Shtëpia e Bardhë", deklaroi Sheline duke shtuar se "Disa gjëra të tjera që ndodhin në Departamentin e Shtetit nuk do të zbulohen derisa Shtëpia e Bardhë të jetë gati të ndjekë një linjë tjetër".
Lidhur me miratimin e projekt-rezolutës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm gjatë Ramazanit, në mënyrë që do të shndërrohet në një armëpushim të përhershëm dhe të qëndrueshëm në Gaza, Sheline tha: "Më vjen mirë që shoh këtë ndryshim të vogël, por nuk ka bërë ende ndryshim për njerëzit në Gaza. Me të vërtetë ky është një hap shumë i vogël dhe i vonuar".
Në letrën që ka shkruar lidhur me arsyen e largimit nga detyra dhe në të cilën kritikonte me fjalë të ashpra politikën e administratës së Bidenit për Gazën, Sheline tha se "Po jap dorëheqje nga detyra ime në Departamentin amerikan të Shtetit sepse nuk mund t'i shërbej një administrate që bën të mundur këto masakra të shkaktuara nga Izraeli. Çdo reputacion që SHBA-ja ka patur si mbrojtëse e të drejtave të njeriut, është shkatërruar pothuajse e gjitha që nga lufta (në Gaza) e deri më tani".
Në tetor 2023, edhe Josh Paul i cili punonte si drejtor i Përgjithshëm në Departamentin e Furnizimit me Armë për Aleatët dhe Partnerët e Departamentit të Shtetit të SHBA-së dha dorëheqje nga posti i tij për arsye të ngjashme.
Më vonë, zyrtarë që punonin në nivele të ndryshme të administratës shkruan një letër të përbashkët dhe i kërkuan administratës së Bidenit që të "ndalonte shitjet e armëve në Izrael"./aa