Është përmbyllur me ndarjen e çmimeve fituese Festivali i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, në qytetin historik të Kosovës në Prizren.
Në ceremoninë e mbylljes në kinemanë e hapur "Lumbardhi", të mbajtur mbrëmë, u ndanë çmime në 11 kategori dhe u mbajt premiera e filmit "Rrugës" e regjisorit kosovar Samir Karahoda.
Regjisorëve fitues iu ndanë çmime të bëra nga kalldrëmi historik i qytetit të Prizrenit.
Produksioni i regjisorit palestinez Kamal Aljafari "A Fidai Film" fitoi çmimin në kategorinë "International Feature Dox", ndërsa "Historia shkruhet gjatë natës", me regji të Alejandro Alonso Estrella, fitoi çmimin në kategorinë "International Short Dox". Filmi "Një ditë tjetër" i Eneos Çarkës u zgjodh si filmi më i mirë në kategorinë "Balkan Dox", "Krahët e punëtorëve" i Ilir Hasanajt u zgjodh si filmi më i mirë në kategorinë "Talent Dox", ndërsa i Durim Klaiqit "reMemBer2.human" mori çmimin "The Distribution Award".
Filmi "Afterwar" i Birgitte Stærmose fitoi çmimin në kategorinë "Çmimi i publikut", "23 Mile" i regjisorit Mitch McCabe fitoi çmimin në kategorinë "Reality Dox" dhe "Si e Verdhë e Sëmurë" e Norika Sefës fitoi kategorinë "National". Filmi i Kumjana Novakovës "Heshtja e arsyes" u zgjodh më i miri në kategorinë "Të drejtat e njeriut", "Uthull molle" e Sofie Benoot në kategorinë "Green Docs", derisa "Vdekja e një heroi" e Karin Franz Körlof në kategorinë "Film i shkurtër".
Në kuadër të DokuFest-it, i cili gjurmon konfliktet globale dhe ndryshimet e pushtetit që riformësojnë rendin botëror me temën "Rendi i Ri", u emetuan gjithsej 250 filma të shkurtër dhe dokumentarë, përfshirë përzgjedhje të veçanta filmash që trajtojnë ngjarjet në Palestinë dhe Ukrainë.
Prizreni priti dhjetëra mijëra artdashës nga e gjithë bota nga data 2-10 gusht në kuadër të festivalit, i cili konsiderohet si një nga ngjarjet më të mëdha në Ballkan në fushën e filmave të shkurtër dhe dokumentarëve./aa