Grupi i rezistencës palestineze Hamas ka bërë të ditur se ka rënë dakord për një armëpushim të propozuar nga Katari dhe Egjipti në Rripin e Gazës.

Grupi palestineze njoftoi se shefi i Hamasit, Ismail Haniyeh, përcolli miratimin e grupit të tij për propozimin gjatë bisedave të ndara telefonike me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe shefin e inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel.

Miratimi vjen në vazhdën e lëshimit të urdhrave të evakuimit nga forcat izraelite për palestinezët nga lagjet lindore të qytetit Rafah në Gazën jugore, një hap që shihet gjerësisht si fillim i sulmit ndaj qytetit që po kërcënohet prej kohësh nga Izraeli, respektivisht në qytetin ku banojnë rreth 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur që kërkojnë strehim nga lufta.

Sipas transmetuesit publik izraelit KAN, një zyrtar izraelit i përfshirë në bisedimet e armëpushimit në Gaza tha se Tel Avivi ka marrë përgjigjen e Hamasit dhe do ta studiojë atë.

Sot më herët, kanali shtetëror i Egjiptit Al-Qahera News, duke cituar një burim të mirë-informuar, tha se një delegacion i Hamasit do të mbërrijë në Kajro herët nesër për të vazhduar bisedimet e armëpushimit në Gaza.

Delegacioni i Hamasit u largua nga kryeqyteti egjiptian të dielën pas një raundi dyditor bisedimesh për armëpushimin për konsultime me udhëheqjen e grupit.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës në shenjë hakmarrje për një sulm ndërkufitar më 7 tetor nga Hamasi kur sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz. Që atëherë, të paktën 34.700 palestinezë janë vrarë në Gaza, shumica dërrmuese të cilëve kanë qenë gra dhe fëmijë, si dhe 78 mijë të tjerë janë plagosur.

Pothuajse shtatë muaj pas fillimit të sulmeve izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja, sipas OKB-së, duke çuar në zhvendosje të brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se "besohet" se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët atje./aa