Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka bërë thirrje për protestë që do të mbahet nesër në Bujanoc, duke ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë.
Protesta është planifikuar të fillojë në ora 11:00 në Sheshin e Bujanocit. Në një postim në Facebook, Sinani ka theksuar se protesta është një reagim ndaj shtypjes dhe diskriminimit që shqiptarët në Luginën e Preshevës përjetojnë nga autoritetet e Beogradit.
“Të dashur qytetarë të Komunës së Preshevës dhe shqiptarë të Luginës, ka mbetur vetëm pak orë deri në PROTESTË. Kjo është një protestë për drejtësi dhe barazi, kundër shtypjes dhe diskriminimit që na bëhet nga Beogradi. Të bashkohemi pa dallime, të ngrisim zërin tonë për IDENTITET dhe DINJITET. Të shprehim zërin e shqiptarëve të diskriminuar. Takohemi nesër në ora 11:00 në Sheshin e Bujanocit,” ka shkruar ajo.
Javë më parë, Komisioni Evropian dhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë shprehën shqetësimin e tyre për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se kjo praktikë bie në kundërshtim me obligimet e Serbisë për respektimin e të drejtave të pakicave.
Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, prej vitesh, kanë paralajmëruar për diskriminim nëpërmjet çaktivizimit të adresave – gjë të cilën përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë e kanë mohuar.
Shaip Kamberi, përfaqësues i pakicës kombëtare shqiptare në Kuvendin e Serbisë, në një letër drejtuar të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në muajin janar të 2023-ës ka shkruar se autoritetet serbe po bëjnë çaktivizim të ashtuquajtur të adresave në vendbanimet e shqiptarëve, me qëllim zvogëlimin e numrit të tyre në Luginën e Preshevës./BalkanWeb