Temperaturat ekstreme deri në 41 gradë në muajin korrik, e që ende vijojnë, kanë shtuar kërkesën për kondicionerë, duke i bërë ato produktin më të kushtueshëm për muajin korrik.

Sipas të dhënave të INSTAT, nëse e bëjmë krahasimin me korrikun e vitit 2023, shtrenjtimin më të madh muajin e kaluar e pati grupi “Mobilie e pajisje shtëpie”, me 3.5%, ku shkaku kryesor është shtrenjtimi i kondicionerëve. Brenda këtij grupi, me 7.1% është rritur çmimi i kondicionerëve, ndikuar nga kërkesa e lartë në treg për këtë pajisje, çka automatikisht ka sjellë edhe shtrenjtim.

Grupi i dytë me shtrenjtimin më të madh është ai i veshjeve dhe këpucëve, me 3.3% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Më të larta në muajin e kaluar kanë qenë veshjet e fëmijëve dhe burrave sipas INSTAT. 

Sezoni veror ka shtuar fitimet për bizneset, por edhe ‘dozën e abuzimeve’. Çmimet e akomodimit (dhoma hoteli, apartamente etj) u rritën me 5.5% në korrik, kurse qiratë e tjera jo vetëm të apartamenteve, por edhe të makinave u rritën me 3.5%. Gjithashtu alkooli e duhani ishin 3.1% më të larta për konsumatorët. Të dhëna këto që lidhen me sezonin veror dhe tregojnë kërkesën e lartë për këto mallra apo shërbime, që është shoqëruar edhe me çmime më të kripura.

Kurse çmimet e ushqimeve krahasuar me korrikun e kaluar u shtrenjtuan me 1,9%. Edhe në këtë pikë, duket se turizmi ka pasur ndikimin më të madh, pasi shtrenjtimi më i madh është regjistruar tek produktet e peshkut me 5,4 %, pasuar nga bulmeti e vezët me 3,5%, zarzavate me rritje prej 3,4% për të vijuar me ëmbëlsirat që kushtuan 2.8% më shumë dhe mishi 2.6% rritje krahasuar me vjet. FOTO

Pavarësisht këtyre shifrave, inflacioni mesatar në korrik mbeti në nivelin 2.1% aq sa ishte edhe në qershor, ku ndikimin më të madh në formimin e tij mujor e kishin përsëri ushqimet, ndjekur nga energjia elektrike dhe mobilimi i shtëpisë. (Grupet që ndikuan në inflacionin në korrik-ushqimet dhe pije joalkoolike me +0,68%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,43%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me +0,26% etje).

Inflacioni i muajve të fundit është poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%. Në këto kushte duhet të ishte lehtësuar politika monetare, dhe të ulej përsëri norma bazë e interesit, por Banka vlerëson se rritja e shpejtë e pagave, e pa mbështetur në produktivitet po rrit kostot e prodhimit në vend, dhe mund të çojë në një valë tjetër inflacioni, ndikuar nga faktorët e brendshëm./Shqiptarja