Harta e turistëve që zgjedhin për të vizituar Shqipërinë po zgjerohet dita-ditës duke përfshirë vende nga të gjitha kontinentet.

I tillë është edhe rasti i një familjeje prej 4 anëtarësh nga Afrika e Jugut, e cila ka vendosur të zbulojë Shqipërinë nga veriu në jug gjatë qëndrimit 16-ditor në vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale dëshminë e familjes nga Afrika e Jugut, e cila për pushimet e këtij viti ka zgjedhur Shqipërinë kryqetërthor si një vend mahnitës që tanimë ka hyrë në hartën e botës turistike.

“Ne jemi një familje nga Afrika e Jugut. Kishim dëgjuar për vendin tuaj por nuk e njihnim mirë. Historia na duket mjaft interesante dhe vendosëm që ishte një ide e mirë ta eksploronim si turistë në të gjitha format”, u shpreh gruaja.

“Do të qëndrojmë këtu rreth 16 ditë. E nisëm nga Lëpusha, më pas shkuam në Vermosh, Theth, Berat, Krujë, Gjirokastër, pamë Rivierën, lumin e Vjosës, kaluam më pas në Përmet, Ersekë, Korçë, ndërsa tani jemi në Pogradec. Pas Pogradecit do të shkojmë në Gramsh. Na pëlqejnë zonat e ndryshme dhe biodiversiteti i vendit”, vijoi turistja.

Ajo tha se fillimisht bënë një listë të vendeve që donin të shikonin, sepse menduan se duke qenë një vend i vogël mund ta shikonin të gjithin.

“Ndaj nuk donim të linim asnjë gjë pa parë. Na pëlqeu shumë ushqimi, byreku është i preferuari im. Në veri na pëlqeu flija”, shtoi ajo.

“Familjes time i pëlqen më shumë deti dhe plazhi, kurse unë personalisht preferoj më shumë malin. Kolonja për mua është në krye të listës, sepse më pëlqejnë shumë malet. Njerëzit këtu janë tepër miqësorë, shumë të hapur dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar”, tha kryefamiljari./ata