Delegacioni olimpik shqiptar u kthye sot në vendin tonë nga Lojërat Olimpike, “Paris 2024″, ku u prit me ceremoni.

Ndërsa qytetarë të shumtë ishin mbledhur për të pritur sportistët shqiptarë të cilët arritën të fitojnë 2 medalje bronzi historike falë mundësve Chermen Valiev dhe Islam Dudaev.

Presidenti i Federatës së Mundjes, ish-mundësi Sahit Prizreni u shpreh se, “ky është një gëzim i madh, fakti që është historike, këtë moment e bën fantastike.

“Jam shumë krenar, kjo është një ëndërr që kam dashur ta realizoj. Jam shumë krenar për djemtë. Përulje dhe mirënjohje për këdo që nderon flamurin kombëtar”, tha ai.

“Uroj që mos jetë hera e fundit që ne mblidhemi. Është punë e një ekipi të bashkuar dhe mendoj se sot duhet të gëzojmë”, tha Sahit Prizreni.

Ndërkohë që dy sportistët kuqezi, Valiev dhe Dudaev thanë se vitet e ardhshme synojnë t’i sjellin Shqipërisë medalje të arta.

“Faleminderit Shqipërisë, e kam në zemër”, tha Valiev, që shtoi entuziazmin te tifozët.

Ndërsa Islam Dudaev synon medaljen e artë në Lojërat e ardhshme Olimpike.

“Jam shumë i lumtur, do Zoti në herën tjetër medalje të artë për Shqipërinë”, tha Dudaev./ata