“Partizani” ka arritur të fitojë derbin e kryeqytetit ndaj “Tiranës” në sfidën e luajtur sonte në stadiumin “Air Albania”.

“Të kuqtë” e kryeqytetit përmbysën me rezultatin 2-1 “bardheblutë” në një takim që rezultoi shumë i luftuar dhe spektakolar.

Ishin “bardheblutë” ata që gjetën të parët rrugën drejt rrjetës, ku në minutën e 7 pas tentativës së Abazajt që u ndal nga portieri Hoxha, topi përfundoi tek Latifi, me sulmuesin “bardheblu” që finalizoi në fund të rrjetës dhe kaloi miqtë në avantazh.

Megjithatë pas një ndërhyrje të gabuar të portierit Abdullahu ndaj Skukës, “Partizani” fitoi penallti që u ekzekutua më së miri nga sulmuesi i “të kuqve” në minutën e 32-të.

Pak para fundit të pjesës së parë, në minutën e 43-të pas një kombinimi të bukur me Rrapajn, Cara kaloi mbrojtjen e “Tiranës” dhe e dërgoi topin në fundin e rrjetës, duke përmbysur rezultatin në fraksionin hapës.

Pjesa e dytë solli raste të shumta, megjithatë nuk dhuroi më gola.

Pas javës së 24-t të “Abissnet Superiore”, “Partizani” renditet në vend të dytë me 40 pikë, teksa “Tirana” në vend të katërt me 34 pikë./ata