Një studim i prezantuar disa ditë më parë në konferencën e Shoqatës Ndërkombëtare të Alzheimerit (Aaic) raportoi se – konsumimi i më shumë se tre filxhanëve kafe në ditë lidhen me një rënie më të shpejtë të aftësive njohëse me kalimin e kohës, sipas “La Repubblica”.
Studiuesit ekzaminuan ndikimin e sasive të ndryshme të kafesë në inteligjencën e lëngshme, e cila mat funksionet njohëse duke përfshirë arsyetimin abstrakt, të menduarit logjik dhe njohjen e modeleve.
Analiza u krye duke marrë parasysh provat konsistente vëzhguese dhe epidemiologjike që tregojnë se si kafeja dhe çaji kanë efekte mbrojtëse ndaj goditjes në tru, atakut në zemër, disa lloje tumoresh, diabetit dhe sëmundjes së Parkinsonit.
“Konsumimi i moderuar i kafesë është i mirë, por konsumimi në sasi të mëdha nuk rekomandohet”, tha Kelsey R. Sewell, studiuese në “Institutin e Kërkimeve Shëndetësore Advent” në Orlando, për “Medscape Medical News”.
Disa studime sugjerojnë se kafeja mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjes së Alzheimerit. Por, të dhënat janë të kufizuara në lidhjen midis kafesë dhe çajit dhe rënies së aftësive njohëse, veçanërisht në disa fusha të dallueshme njohëse.
Sewell dhe ekipi i saj botuan një studim për të moshuarit, duke zbuluar se sasitë më të mëdha të kafesë mund të shoqërohen me një rënie më të ngadaltë të aftësive njohëse – dhe një akumulim më të ngadaltë të beta-amiloidit në tru, që besohet të jetë ndër shkaqet e sëmundjes së Alzheimerit.
Por – studimi i ri zgjati intervalin e vëzhgimit duke përfshirë 8451 persona mbi 60 vjeç (mosha mesatare 67,8 vjeç), kryesisht gra (60%) pa asnjë ndryshim njohës.
Të gjithë këta individë janë pjesë e “UK Biobank”, e cila përmban informacione gjenetike dhe shëndetësore anonime për gjysmë milioni njerëz.
Këta persona kishin një indeks të masës trupore afërsisht 26 (rreth 20% mbipeshë), dhe 26% e tyre mbartnin gjenin APOE e4, i konsideruar si një faktor rreziku për Alzheimer.
Krahasuar me konsumuesit e shumtë të kafesë (4 ose më shumë filxhanë në ditë), ata që nuk pinë kafe dhe ata që raportuan konsum të moderuar të kafesë kishin një rënie më të ngadaltë të inteligjencës.
“Konsumatorët e mëdhenj treguan rënien më të shpejtë të inteligjencës në krahasim me të tjerët – dhe të dhënat tona sugjerojnë se – konsumi i moderuar mund të marrë një rol mbrojtës kundër rënies se aftesive njohëse”, tha Sewell./ata