Qyteti malazez i Kotorrit, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i vendosur brenda gjirit piktoresk të Adriatikut, po përballet me trafik të rënduar gjatë muajve të verës, ndërsa rrugët e tij të ngushta po tejmbushen me vizitorë të huaj.
I njohur nga filmi i James Bond në vitin 2006, qyteti tani është i mbingarkuar nga fluksi i turistëve dhe anijeve turistike.
Turizmi kontribuon afërsisht një të katërtën e prodhimit ekonomik të Malit të Zi, me të ardhurat që përbëjnë 24.5% të PBB-së në vitin 2022.
Së fundmi katër anije lundrimi që transportonin rreth 5,000 turistë u ankoruan në portin e Kotorrit, duke e tendosur më tej infrastrukturën e qytetit.
Doris Dajkovic, një banore e qytetit që punon në një dyqan suveniresh lokal, u ankua për bllokimet e trafikut dhe mungesën e vendeve të parkimit.
“Ka shumë njerëz në qytet. Ka turma të mëdha kudo, shumë guida turistike që udhëheqin grupet e turistëve. Përveç kësaj, nuk ka parkim dhe kjo shkakton bllokime masive të trafikut”.
Jovan Ristiq, drejtor i organizatës lokale turistike thotë se jeta e banorëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë gjatë sezonit turistik.
“Numri i anijeve turistike është rritur vazhdimisht gjatë dhjetë viteve të fundit, duke arritur në afërsisht 500 vitet e fundit. Kjo është një shifër domethënëse, dhe në një qytet si Kotorri, nuk është e pazakontë që tre ose katër anije të ankorohen njëkohësisht. Për rrjedhojë, ne përjetojmë një numër shumë të madh vizitorësh në një hapësirë shumë të vogël, përveç turistëve që mbërrijnë përmes agjencive turistike ose me autobus nga shtetet dhe qytetet fqinje. Kjo, do të thoja, e vështirëson jetën e banorëve tanë.”
“Në raste të tilla, veçanërisht kur ndikimi është intensiv dhe afatgjatë, dëmi zakonisht tejkalon përfitimet. Bukuria e gjirit është burimi ynë më i vlefshëm dhe është arsyeja pse njerëzit, anijet turistike dhe turistët vijnë në Kotorr. Kjo është diçka që duhet ta ruajmë. Nëse bëhemi të njohur, shpresoj që turizmi masiv të mos shkaktojë cilësi të dobët të ujit dhe do të jetë e vështirë të rikthehet shkëlqimi i dikurshëm i Gjirit të Kotorrit dhe i bregdetit malazez”.
Banorët thonë se vizitorët e huaj po rrisin kostot e banesave dhe po shkaktojnë probleme të tjera mjedisore prandaj ata po kërkojnë një kufizim të numrit të vizitorëve të huaj që mbërrijnë në qytet./Tema