Bukuritë natyrore, pozita gjeografike, mikpritja dhe traditat e bëjnë Korçën një prej destinacioneve më të frekuentuara në Shqipëri. Për shumë pushues klima është mjaft e përshtatshme për t’i ikur të nxehtit të gushtit.

Parku “Rinia” është një prej alternativave kryesore për të kaluar këto ditë të nxehta vere. Janë të shumtë ata të cilët mund të pushojnë në park, të shijojnë gjelbërimin, të pedalojnë, ndërsa fëmijët mund të luajnë pa e ndjerë të nxehtin e verës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky park, i mbushur plot pushues.

Parku i Korçës me një shtrirje prej 100 mijë metrash katrorë, është i veçantë sa i përket shumëllojshmërisë së drurëve dhe bimësisë.

Parku, i ndodhur në veriperëndim të qytetit, është krijuar 60 vjet më parë për të qenë mushkëria e Korçës dhe frekuentohet nga dhjetëra qytetarë të moshave të ndryshme.

Falë investimit për rehabilitimin e tij, kjo pjesë e gjelbër e Korçës u shndërrua në një park model me standarde europiane, me qëllim që të jetë sërish dhe vetëm në funksion të qytetarëve./ata