Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar për konsultim publik një grup rregulloresh, të hartuara në zbatim të ligjit për tregjet e kapitalit, të përafruara gjerësisht me direktivat evropiane të fushës, që kanë të bëjnë me rregullimin e institucioneve të tregut të kapitalit, si Bursa, Depozitari Qendrore dhe Shtëpitë e Klerimit.

 

Në Takimet Bilaterale të kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”, të zhvilluara në muajin shkurt në Bruksel, nën drejtimin e AMF-së, grupi negociator u angazhua për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian në fushën e shërbimeve financiare.

 

Hartimi i projektrregulloreve  shërben përmbushjes së këtij detyrimi, duke e përafruar kuadrin rregullator në një shkallë të lartë me legjislacionin evropian që lidhet me infrastrukturën e tregut të kapitaleve.

 

Sipas AMF-së, projektrregulloret “Për kriteret e licencimit dhe funksionimit të bursave dhe operatorëve të tregut që vënë në funksion veprimtarinë e një tregu të rregulluar”; “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së depozitarit qendror të titujve”; “Për kërkesat e licencimit dhe të funksionimit të shtëpisë së klerimit dhe kundërpalës qendrore”; “Për kriteret dhe kërkesat e miratimit të shoqërisë audituese të shoqërisë komisionere dhe institucioneve të tregut”, vendosin standardet më të mira evropiane të rregullimit dhe funksionimit të infrastrukturës së tregtimit dhe pastregtimit, si elementë kyç për mbarëvajtjen, mirëfunksionimin dhe sigurimin e eficiencës së tregjeve të kapitalit.

 

Në kuptim të ligjit për tregjet e kapitalit, Bursa, Depozitari Qendror i Titujve si dhe shtëpitë e klerimit apo Kundërpala Qendrore (CCP) konsiderohen institucione tregu, për të cilat projektrregulloret vendosin kritere për përzgjedhjen dhe miratimin e shoqërisë audituese të këtyre institucioneve./ATSH