Një djalë 12-vjeçar është bërë personi më i ri i akuzuar për trazirat e ekstremit të djathtë që shpërthyen në të gjithë Anglinë pas një sulmi me thikë në Southport më 29 korrik.

Djali, emri i të cilit nuk është bërë i ditur për shkak të moshës së tij, është akuzuar për çrregullime të dhunshme në qytetin Merseyside, Southport, më 30 korrik.

Në një deklaratë, policia tha se 12-vjeçari është në mesin e tre meshkujve që do të akuzohen për trazirat që shpërtheu një ditë pasi tre të mitur u vranë në sulmin masiv me thikë më 29 korrik.

Ai u akuzua për çrregullim të dhunshëm dhe u ndalua nga autoritetet për t’u paraqitur në Gjykatën Rinore në Merseyside.

927 persona u arrestuan dhe 466 të tjerë u akuzuan që kur shpërthyen trazirat e dhunshme në të gjithë vendin.

Zëdhënësi i kryeministrit Sir Keir Starmer tha se qeveria "nuk do të pushojë derisa puna të përfundojë" kur u pyet nëse policia dhe gjykatat do të vazhdojnë të ndjekin ata që janë përfshirë në trazirat.

Teksa pati një ulje të tensioneve gjatë fundjavës, vendi mbetet në "gadishmëri të lartë" për çrregullime të mëtejshme, raportoi Sky News, duke cituar zëdhënësin.

Mbretëria e Bashkuar është tronditur nga trazira për ditë të tëra, me rebelët e dhunshëm të së djathtës ekstreme që shënjestrojnë muslimanët, grupet minoritare dhe emigrantët.

Trazirat u nxitën nga pretendimet e rreme të përhapura në internet se një i dyshuar i arrestuar për therjen fatale me thikë të tre fëmijëve më 29 korrik në Southport ishte një azilkërkues musliman.

Që atëherë, autoritetet e kanë identifikuar sulmuesin si Axel Rudakubana, një 17-vjeçar i lindur në Cardiff, Uells nga prindër ruandazë, por kjo nuk ka bërë shumë për të penguar turmat e ekstremit të djathtë./aa