Ilir Mati, gazetar në pension foli për punën si oficer dhe inxhinier në bazën e Pashalimanit gjatë komunizmit. Ai tregon se ka punuar për riparimin e nëndetëseve që ishin në Pashaliman.

“Unë kam punuar 25 vjet në Flotën Luftarake Detare, si oficer dhe inxhinier, në Bazën e Pashalimanit. Unë kam punuar në uzinën për riparimin e nëndetëseve. Ishim katër inxhinierë që merreshim me këtë punë. Shteti shqiptar kujdesej për nëndetëset dhe kishte format e veta se si i zgjidhte punët. Për riparimin e nëndetëseve kishte marrëdhënie me Republikën e Kinës.

Ne që punonim me nëndetëset dinim një gjë. Që këto nëndetëse nuk do shkonin kurrë në luftë. Ato ishin vetëm një mjet i fuqishëm propagande që në qoftë se ato nëndetëse ishin operacionale në det tregonin se Shqipëria ishte një vend i zhvilluar. Ato ishin operacionale deri në vitin 1992. Nuk kishim për të qëlluar ndonjëherë me ndonjë silur. Këto ne i dinim, që punonim në kushtet e Luftës së Ftohtë”, tregon gazetari për Rudina Xhungën në Dritare TV./Tema